Prishtinë, 11 Korrik 2025 – Një nga emrat më inovativë të muzikës elektronike, Anyma, do të performojë në edicionin e sivjetshëm të Sunny Hill Festival, dhe performanca e tij pritet të jetë ndër më të veçantat dhe më të shumëpriturat të gjithë festivalit.
Anyma, projekti solo i artistit italian Matteo Milleri nga grupi Tale Of Us, është i njohur për shkrirjen mes muzikës techno melodike dhe elementëve vizualë digjitalë të gjeneruar në kohë reale – një përvojë unike që kapërcen format tradicionale të koncertit.
Spektakël për ndjesi dhe sy
Performanca e tij më 3 gusht në skenën “C4” do të përmbyllë edicionin 2025 të Sunny Hill Festival, duke sjellë një show që kombinon muzikë të thellë emocionale, ritme pulsante dhe grafikë të avancuar 3D.
“Anyma nuk është vetëm muzikë – është një përvojë”, kanë deklaruar organizatorët, duke shtuar se teknologjia që ai sjell në skenë “transformon koncertin në një univers të veçantë artistik.”
Pritshmëri të larta nga publiku
Pas suksesit të performancave të tij në festivale të mëdha si Tomorrowland, Coachella dhe Afterlife, fansat e muzikës elektronike në Kosovë dhe rajon presin me entuziazëm shfaqjen e tij në Prishtinë.
“Jam krenar që do të jem pjesë e këtij festivali në një vend me kaq shumë shpirt dhe energji”, ka deklaruar vetë Anyma në një postim në rrjetet sociale.
Një mbyllje e paharrueshme për Sunny Hill 2025
Bashkë me Peggy Gou, e cila do të performojë po ashtu më 3 gusht, nata finale e Sunny Hill Festival pritet të jetë kulmi i tri netëve të mbushura me muzikë, art dhe bashkim kulturash.