Artisti i njohur i muzikës reggae dhe roots, Max Romeo ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Artisti i njohur i muzikës reggae dhe roots, Max Romeo – emri i vërtetë Maxwell Smith – ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.

Një deklaratë e postuar në rrjetet sociale gjatë fundjavës konfirmoi ndarjen e tij nga jeta, duke thënë:
“Me pikëllim të thellë njoftojmë vdekjen e të dashurit tonë, Max.”

“Jemi thellësisht mirënjohës për dashurinë dhe homazhet e shumta, dhe ju lutemi për pak privatësi në këtë kohë,” vijon deklarata. “Legjendat nuk vdesin kurrë.”

Sipas The Guardian, Max vdiq për shkak të komplikimeve në zemër të premten, më 11 prill. Ai ndërroi jetë në Parishin Saint Andrew në Xhamajkë, ku ishte lindur në vitin 1944 (në tekstin anglisht thuhet gabimisht 1994).

Karriera muzikore e Maxwell Smith filloi në moshën 18-vjeçare, pasi fitoi një konkurs që i dha mundësinë të shpërngulet në kryeqytetin e Xhamajkës, Kingston. Atje ai iu bashkua grupit rocksteady The Emotions, të cilët patën sukses me disa këngë gjatë viteve ’60.

Në vitin 1968, Smith – i njohur me emrin artistik Max Romeo – publikoi këngën hit Wet Dream, duke krijuar një tingull të ri provokues në reggae. Kënga u ndalua nga BBC, por qëndroi 25 javë në klasifikimet britanike dhe arriti në Top 10.

Maxwell nënshkroi me Island Records me albumin e tij të njohur të vitit 1976 War Ina Babylon, i cili u vlerësua në një moment vendimtar për zhvillimin e tingullit roots dhe reggae.

Albumi përmbante këngën e famshme Chase The Devil, e cila më vonë u përdor si sample nga The Prodigy në këngën e tyre të vitit 1992 Out Of Space, dhe nga artistë të tjerë si Earl Sweatshirt, Kanye West dhe Madness.

Gjatë karrierës së tij, Maxwell bashkëpunoi gjithashtu me figura të njohura si Jah Shaka, Lee ‘Scratch’ Perry, The Rolling Stones, Mad Professor dhe shumë të tjerë.