Në një epokë ku spektaklet live janë kthyer në garë për teknologji, vizualitet dhe ndjesi, Eric Prydz nuk po garon me askënd tjetër veçse me versionin e tij të mëparshëm. Holosphere 2.0, rezidenca më futuriste e këtij sezoni në Ibiza, është kulmi i një pune të pandërprerë që zgjati pesë vite – një rikthim pas shkatërrimit të strukturës origjinale në Tomorrowland 2019, dhe një hap gjigant për atë që konsiderohet tashmë si një nga vizionarët më të mëdhenj të skenës elektronike.
Që nga momenti i parë që u shfaq në UNVRS Ibiza – klubi më i ri dhe më teknologjik në ishull – Holosphere 2.0 ka pushtuar internetin me pamje që duken më shumë si nga një film i Ridley Scott sesa nga një natë në një klub nate. Në qendër të gjithë këtij universi ndodhet një sferë gjigante 8.2 metra e lartë, e përbërë nga panele LED të dyanshme dhe transparente, të ndërtuara nga zero – me një rezolucion që dyfishon versionin e parë. Brenda saj, Eric Prydz performon si një figurë mes dritës, hijes dhe hologramit.

“Ne nuk donim të thjesht ta rindërtonim Holosphere,” – shprehet Prydz. “Kishim mundësinë të krijonim diçka të re, të pamenduar më parë.”
Pamjet që krijohen janë të pabesueshme – nga një sy gjigant që lëviz mes turmës, deri te galaktika që shpërthen në mënyrë sinkronike me beat-et – Holosphere nuk është më vetëm një show. Është një përjetim multisensorial që fshin kufijtë mes realitetit dhe iluzionit.
Ndërkohë që pjesa më e madhe e klubeve në Ibiza ende përballen me kufizime arkitekturore, UNVRS është ndërtuar pikërisht për shfaqje të kësaj përmase – me një kapacitet mbajtës të çatisë të mjaftueshëm për të përballuar një strukturë që peshon mbi 7 ton.
A do ta shohim Holosphere 2.0 jashtë Ibizës? Po – dhe më shpejt nga sa mendoni. Ekipi i Prydz po përgatit një version akoma më të madh për një tur global, me një strukturë që do arrijë lartësinë e një ndërtese 3-katëshe. Gjithçka është ndërtuar si një “pasion project”, që sipas menaxherit Michael Sershall “nuk do të gjenerojë fitime të mëdha, por është ajo që Eric do të bëjë”.

Prydz vetë e sheh këtë projekt jo si evoluim të një DJ set-i, por si një formë tjetër performimi – një përpjekje për të shtuar një “element të pestë” në muzikën e tij.
Në një botë të zhurmshme nga kontenti dhe telefonat që ndjekin çdo beat, Holosphere 2.0 nuk është krijuar për klikime. Është thjesht… shumë përpara kohës së vet.
🔗 Lexo më shumë në enterevents.al/mag