Lyhnida Fusion Fest: dy ditë në natyrë me muzikë dhe eksperienca unike në Drilon
Në datat 1–2 gusht, Parku Ujor Drilon–Tushemisht në Pogradec bëhet vendtakimi i verës me Lyhnida Fusion Fest, një festival dyditor që largohet nga formati klasik i skenës për t’i lënë vend një përvoje të plotë: aktivitete në natyrë gjatë ditës dhe muzikë live në mbrëmje, në një nga peizazhet më të bukura liqenore të vendit. Hyrja në festival është e falas dhe pa biletë.
Festivali zhvillohet në një hapësirë të rikualifikuar me mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), donator kryesor i projektit të rikualifikimit të Parkut Ujor Drilon–Tushemisht dhe i aktivitetit. Rikualifikimi i parkut dhe zonave përreth kanë krijuar kushtet për aktivitete si Lyhnida Fusion Fest që promovojnë Pogradecin dhe aktivitete miqësore me mjedisin.
Bashkorganizator i aktiviteti është Qendra Parku Ujor Drilon–Tushemisht, që kujdeset për hapësirat e parkut dhe promovon turizmin e qëndrueshëm në zonë. Me burimet e saj natyrore unike, liqeni, gjelbërimi dhe sytë e ujit të Drilonit, Parku ofron kuadrin ideal për një festival që kombinon eksperiencën në natyrë me argëtimin dhe trashëgiminë kulturore, duke e pozicionuar Drilonin si një nga destinacionet më tërheqëse verore në Shqipëri.
Lyhnida Fusion Fest organizohet nga TOK Digital Agency, e cila ka konceptuar dhe koordinuar festivalin si një platformë që promovon turizmin, kulturën dhe aktivitetet në natyrë përmes një eksperience moderne dhe gjithëpërfshirëse. Përmes këtij organizimi, TOK synon të sjellë një model të ri festivalesh që lidh komunitetin, vizitorët dhe potencialin turistik të Pogradecit në një eksperiencë unike verore.
Një ditë, shumë mënyra për ta jetuar
Gjatë ditës, vizitorët do të kenë mundësi të përfshihen në aktivitete si kajak, çiklizëm, shëtitje me varkë, sporte dhe eksperienca të tjera në natyrë. Në mbrëmje, atmosfera transformohet: skena i lë vendin performancave live nga grupe muzikore dhe DJ, duke krijuar një ritëm që lëviz natyrshëm mes relaksit dhe energjisë deri vonë në natë.
Si të bëhesh pjesë
Aktivitetet kryesore të Lyhnida Fusion Fest janë falas dhe hyrja në festival nuk kërkon biletë. Vetëm aktivitetet sportive, për shkak të kapaciteteve të limituara, kërkojnë prenotim paraprak. Të gjithë të interesuarit inkurajohen të rezervojnë me kohë vendin e tyre për t’u siguruar një eksperiencë sa më të plotë.
Lyhnida Fusion Fest është ftesa për t’u shkëputur nga rutina dhe për të jetuar një fundjavë sipas ritmit tend, mes natyrës, muzikës dhe komunitetit. Pogradeci dhe Drilon presin çdo vizitor, të ri e të vjetër, për dy ditë që premtojnë të mbeten në kujtesë.
Data: 1–2 gusht 2026
Vendndodhja: Qendra Parku Ujor Drilon–Tushemisht, Pogradec
Hyrja: Falas, pa biletë
Prenotim aktivitetesh: lyhnidafusionfest.com
ENTER MAG
Made to Amaze